< Zan 18 Zan 20 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 19)
19

1 Në mbrëmje arritën dy engjëjt në Sodomë. Atëherë Loti po rrinte te dera e Sodomës. Ky, kur i pa, u ngrit dhe u doli para, i përshëndeti duke u përkulur deri në tokë

2 dhe tha: “Urdhëroni, ju lutem, zotërinjtë e mi, dhe ejani në shtëpinë e shërbëtorit tuaj e kaloni natën. Lani këmbët tuaja e në mëngjes vazhdojeni udhën tuaj”. Ata i thanë: “Assesi! Natën do ta kalojmë në treg.”

3 Por, ai aq nguli këmbë saqë i shtrëngoi të hyjnë në shtëpi. Pasi hynë në shtëpinë e tij, u përgatiti një gosti, u poq bukë të pabrumë dhe hëngrën.

4 Para se të shkonin të flejnë, njerëzit e qytetit, sodomasit, i ri e i vjetër ‑ mbarë populli, të gjithë së bashku e rrethuan shtëpinë.

5 E thirrën Lotin dhe i thanë: “Ku janë ata burra që hynë natën te ti? Na i qit jashtë që ta shfryjmë dëshirimin me ta”.

6 Loti doli te ta dhe, pas shpine, e mbylli derën. U tha:

7 “Mosni, vëllezërit e mi, mos e bëni këtë të keqe.

8 Ja, i kam dy vajza, të cilat s’i ka prekur ende dora e mashkullit, ato po jua qes dhe bëni me to ç’të doni, vetëm që të mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse hynë në hijen e pullazit tim”.

9 Por, ata i thanë: “Hiqu asaj!” Dhe vazhduan: “Shih, ky i huaj, i ardhur dhe do të jetë gjykatës! Do ta bëjmë më zi, pra, ty se sa atyre”! Ta shtynë Lotin me hov dhe u afruan ta thyejnë derën.

10 Por, ata dy njerëz e shtrinë dorën, e futën Lotin brenda dhe e ndrynë derën.

11 Ata që ishin përjashta i vërbuan prej më të voglit e deri te më i madhi, kështu që të mos mund e gjenin derën.

12 Njerëzit i thanë Lotit: “A ke më ndokënd tëndin këtu? Dhëndër? Bij e bija, të gjithë të tutë, që janë në qytet, nxirri jashtë këtij vendi.

13 Do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse është i madh ankimi kundër tyre para Zotit, i cili na dërgoi ta shfarosim”.

14 Loti doli për të folur me dhëndurët e vet, të cilët do t’i merrnin bijat e tija dhe tha: “Çohuni, e dilni prej këtij vendi, sepse Zoti do ta shkatërrojë këtë qytet”. Por atyre iu duk se po bënte mahi.

15 Në të zbardhur të dritës, engjëjt e nxitnin Lotin dhe i thonin: “Çohu, merre gruan tënde dhe dy bijat e tua që i ke këtu që të mos mbarosh për shkak të kobësisë së qytetit”.

16 Pasi ai po ngarritej, dy burrat e kapën për dore atë, gruan e tij dhe dy bijat e tija, sepse Zoti kishte mëshirë për të,

17 e nxorën jashtë dhe e qitën prej qytetit. Aty i tha njëri: “Ik, shpëto jetën! Mos u kthe të shikosh prapa dhe mos u ndal askund në këtë fushë, por shpëtoje veten në mal se mbarove”!

18 Loti u tha: “Mos e thëntë Zoti!

19 Shërbëtori yt gjeti hir para teje dhe pate dhimbje të madhe ndaj meje duke ma shpëtuar jetën. Por, unë nuk mund të shpëtoj në mal pa më kapur e keqja dhe do të vdes.

20 Ja, këtu afër është qyteti. Qytet i vogël në të cilin mund të iki, të strehohem. A nuk është kjo gjë e vogël që po e kërkoj për të shpëtuar jetën”?

21 I tha: “Ja, edhe për këtë gjë po ta pranoj lutjen: nuk do ta shpartalloj qytetin për të cilin fole.

22 Shpejto e shpëto në këtë qytet, sepse nuk do të mund të bëj asgjë, derisa të mos hysh atje”.

Për këtë arsye ai qytet u quajt Segor.

23 Dielli lindte mbi tokë e Loti hyri në Segor.

24 Atëherë Zoti lëshoi mbi Sodomën e Gomorrën, në formë të shiut, sulfur e zjarr. Ata binin prej Zotit, prej qiellit.

25 I shfarosi ato qytete dhe tërë krahinën përreth, të gjithë banorët e qyteteve dhe tërë bimësinë mbi tokë.

26 E shoqja e Lotit shikoi prapa dhe u bë trupore kripe.

27 Abrahami u çua heret në mëngjes dhe erdhi në atë vend ku ishte ndalur më parë para Zotit.

28 Ia lëshoi sytë së largëti Sodomës dhe Gomorrës edhe mbarë krahinës. I pa shkëndijat që ngriteshin nga toka thua se ishin tym furre.

29 Mirëpo, kur Hyji i shkretoi qytetet e asaj krahine, i ra ndër mend Abrahami dhe kështu e skajoi Lotin para se të shkretonte qytetet, në të cilat banonte.

30

Loti u çua nga Segori dhe zuri vend në mal. Me të shkuan edhe dy bijat e tija. Kishte frikë të rrinte në Segor. Për banim zgjodhi një shpellë. Me të banonin edhe dy bijat e tija.

31 Vajza e madhe i tha të voglës: “Baba ynë është i moçëm e këndej, në vend, nuk ka mbetur asnjë mashkull që të mund të flejë me ne, siç është doke në mbarë botën.

32 Eja ta dehim babanë tonë me verë e të flejmë me të që të mund ta ruajmë farën tonë”.

33 Prandaj, atë natë i dhanë të pijë të atit verë, hyri vajza e madhe dhe fjeti me të. Ai nuk u kujtua as kur ra e bija me të as kur u ngrit.

34 Të nesërmen gjithashtu i tha e madhja të voglës: Ja, fjeta dje me tim atë; t’i japim të pijë verë edhe sonte, dhe ti hyr e fli me të, që ta ruajmë farën e babasë tonë”.

35 Edhe atë natë i dhanë të atit të pijë verë, hyri vajza e vogël dhe fjeti me të. Po as kësaj here nuk iu kujtua as kur ra as kur u ngrit ajo.

36 Kështu, pra, mbetën shtatëzënë dy të bijat e Lotit prej të atit të tyre.

37 E madhja lindi djalë dhe ia ngjiti emrin Moab. Ky është trungu i moabitëve të sotëm.

38 Po edhe e vogla lindi djalë dhe ia ngjiti emrin Benami (që do të thotë: Djali i popullit tim). Ky është i ati i amonitëve të sotëm.



Fjala e Zotit