1 Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet
2 kur edhe vdiq në Kariatarbee, d. m. th. në Hebron, në dheun e Kanaanit. Abrahami i qiti vajin dhe i bëri salikimin Sarës.
3 Në kohën e kremtimit të vajit, Abrahami u ngrit në këmbë dhe iu drejtua me këto fjalë bijve të Hetit:
4 “Unë jam i huaj dhe endacak ndër ju. Ma shitni një copë vend ndër ju për varr që të mund ta varrros të ndjerën time”.
5 Bijtë e Hetit i përgjigjën:
6 “Dëgjo, imzot! Ti je ndër ne princ i Hyjit. Varrose të ndjerën tënde në varrin tonë më të mirë! S’ka njeri që ta ndalon ta varrosësh të ndjerën tënde në varrin e tij”!
7 Abrahami u ngrit dhe u përkul në nderim para popullit të vendit, d. m. th. para bijve të Hetit
8 dhe u tha: “Nëse vërtet pranoni ta marr e ta varros të ndjerën time, kini mirësinë e ndërmjetësoni për mua tek Efroni, tek i biri i Seorit,
9 që të ma japë shpellën e Makpelës, që e ka në fund të arës së vet. Të ma japë para jush me para me çmim të vërtetë si pronë varrezash”.
10 Efroni rrinte ndenjur mes bijve të Hetit. Efron Heteu iu përgjigj Abrahamit ‑ dhe e dëgjuan të gjithë hetenjtë, të gjithë ata që ishin të aftë të dëshmojnë ‑ me këto fjalë:
11 “Më dëgjo, imzot! Jo ashtu! Unë po ta jap arën dhe shpellën që është në të në praninë e bijve të popullit tim. Varrose të ndjerën tënde”!
12 Abrahami u përkul në nderim para popullit vendës
13 dhe i tha Efronit në praninë e vendësve: “Po të lutem, ma dëgjo fjalën! Unë po ta paguaj çmimin e arës: merre prej meje dhe kështu do ta varros në të të ndjerën time”.
14 Efroni iu përgjigj Abrahamit dhe i tha:
15 ”Dëgjo, imzot! Një copë tokë katërqind siklash argjendi s’është me rëndësi as për mua as për ty. Varrose lirisht të ndjeren tënde”!
16 Abrahami e pranoi çmimin e Hefronit dhe i peshoi paratë që Hefroni kërkoi në praninë e hetenjve, d. m. th. katërqind sikla të argjendta sipas monedhës që ishte në treg.
17 Kështu ara e Efronit, në Makpelë, para Mambresë, si ara ashtu edhe shpella në të, si edhe të gjitha pemët brenda kufijve të saj përreth,
18 u bënë pronë e Abrahamit në praninë e të gjithë bijve të Hetit që merrnin pjesë në këshillin e qytetit.
19 Atëherë Abrahami e varrosi Sarën , gruan e vet, në shpellën e arës së Makpelës, që është përballë Mambresë‑d. m. th. Hebronit ‑ në dheun e Kanaanit.
20 Hetenjtë ia përforcuan Abrahamit për pronë varrezash arën dhe shpellën që ishte në të.