< Zan 26 Zan 28 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 27)
27

1 Izaku u plak. Sytë iu errësuan dhe nuk mund të shihte më.

E thirri djalin e vet të madh, Ezaun, dhe i tha: “Biro”! Ai iu përgjigj: “Urdhëro”!

2 E vazhdoi: “Ti po sheh ‑ i tha ‑ se jam plakur. Nuk e di kur më vjen vdekja.

3 Merri, pra, armët e tua: kukurrën dhe harkun e dil në gjah. Dhe, si të zësh gjë,

4 më përgatit ushqim siç e di se më pëlqen dhe ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes”.

5 Mirëpo, Rebeka e kishte dëgjuar Izakun duke folur me Ezaun, birin e vet. Doli, pra, Ezau për gjah në fushë për të vrarë ndonjë kafshë të egër e për ta sjellë.

6 Rebeka i tha Jakobit, birit të vet: “Ja, e dëgjova tët atë që po fliste me vëllanë tënd dhe po i thoshte:

7 Ma sill gjahun tënd dhe më përgatit ushqim që të ha dhe të bekoj në praninë Zotit, para se të vdes”.

8 Tani, pra, biri im, dëgjo çka po të urdhëroj.

9 Shko në grigjë dhe m’i sill dy edha të mirë që t’i përgatis tët eti prej tyre hajet që i ha me ëndje.

10 Pasi t’ia kesh sjellë tët eti e t’i ketë ngrënë, ta japë bekimin para se të vdesë”.

11 Ai iu përgjigj: “Ti e di se im vëlla Ezau është leshatak, kurse unë nuk jam leshatak.

12 Nëse më prek im atë e i kujtohet, kam frikë se mendon se desha të gënjej e në vend të bekimit, i ngarkoj vetes mallkimin”.

13 Nëna iu përgjigj: “Më rëntë mua ‑ tha ‑ ai mallkim, biri im, por vetëm ti më dëgjo, shko e sill çka të kërkova”.

14 Ai shkoi, i solli dhe ia dha nënës. Ajo i përgatiti hajet ashtu si e dinte se i pëlqenin babait të tij.

15 Dhe me petkat shumë të mira të Ezaut, që i kishte në shtëpi, e veshi Jakobin,

16 me lëkura të edhave ia mbështolli duart dhe pjesën e shogët të qafës.

17 Jakobit, djalit të vet, ia dha në dorë ushqimin shumë te shijshëm dhe bukët që kishte përgatitur.

18 Ky, si hyri tek i ati, tha: “Im atë”! Ai u përgjigj: “Oj! Kush je ti, biri im”?

19 Jakobi iu përgjigj të atit: “Jam Ezau, djali yt i madh. Bëra siç më the. Çohu, kthehu në tryezë e ha prej gjahut tim që të më bekosh.”

20 Izaku i tha përsëri të birit: “Si ‑ tha ‑ aq shpejt munde të gjesh, biri im”? Ai iu përgjigj: “Vullneti i Zotit, Hyjit tënd, bëri që të më takojë”.

21 Por, Izaku i tha: “Afrohu këtu që të të prek, biri im, që ta di a je ti biri im Ezau apo jo”.

22 Ai u afrua tek i ati dhe, pasi e preku, Izaku tha: “Zëri është zëri i Jakobit, por duart, duart janë të Ezaut”.

23 Dhe nuk e njohi, sepse duart ishin leshatake si ato të djalit të madh. Prandaj edhe e bekoi.

24 Tha: “A je ti biri im Ezau”? U përgjigj: “Unë jam”.

25 Atëherë ai: “Më jep ‑ tha ‑ të ha prej gjahut tënd, biri im, dhe të të bekojë shpirti im”. I dha dhe ai hëngri. I solli edhe verë. Kur e piu,

26 Ezaut i tha i ati: “Afrohu e më puth, biri im”!

27 U afrua dhe e puthi. Posa e dëgjoi erën e mirë të petkave të tija, i dha bekimin me këto fjalë:

“Ah! Ç’erë e këndshme e djalit tim,

porsi era e fushës pjellore

që e bekoi Zoti ynë!

28 Të dhëntë Perëndia,

bashkë me vesën e qiellit

e me tokë të pëlleshme,

begati drithi e vere.

29 Të shërbefshin popujt,

para teje u përkulshin fiset!

Ji zotëria i vëllezërve të tu,

para teje u përkulshin bijtë e nënës sate!

Qoftë mallkuar kush të mallkoftë ty,

qoftë bekuar kush të bekoftë ty”!

30 Posa Izaku i kishte dhënë bekimin Jakobit dhe, posa Jakobi u largua nga i ati, ia arriti Ezau, vëllai i tij

31 dhe, si i përgatiti ushqimet, ai solli të atit e tha: “Çohu, babai im, dhe ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekojë shpirti yt”.

32 Izaku, i ati i tij i tha: “Pse kush je ti”? Ai iu përgjigj: “Unë jam i parëlinduri, biri yt Ezau”.

33 Izaku u dridh si thupra në ujë nga habia e jashtëzakonshme dhe tha: “Kush është, pra, ai që, pasi e zuri gjahun, ma solli dhe hëngra prej të gjithave para së të vije ti? Unë i dhashë bekimin dhe ai do të jetë i bekuar”.

34 Kur Ezau i dëgjoi fjalët e të atit, i shpërthyen gjëmë të forta e jashtëzakonisht të hidhura dhe i tha të atit: “Ma jep bekimin edhe mua, im atë”!

35 Ai iu përgjigj: “Erdhi me dredhi yt vëlla dhe ta mori bekimin”.

36 Por, ai shtoi: “Ju vu me të drejtë emri Jakob! Ja, më hoq dredhi, për herë të dytë! Herën e parë m’i mori të drejtat e parëlindësisë, kurse tani ‑ herën e dytë ‑ ma mori bekimin që më përkiste mua”!

Dhe shtoi: “A thua nuk e ruajte ndonjë bekim për mua”?

37 Izaku u përgjigj: “Ja, unë e bëra zotërinë tënd dhe të gjithë vëllezërit e tij ia bëra shërbëtorë. Atë e sigurova me drithë e me verë. E pas këtyre, biri im, çka të bëj tjetër për ty?”

38 Ezau i tha t’et: “Po a nuk e ke, ati im, së paku një bekim të vetëm për mua? Po të lutem, ma jep bekimin edhe mua”! Dhe, pasi dëneste më gjëmë,

39 Izaku, i mallëngjyer, i tha:

“Qe Ja, larg tokës pjellore

do ta ngulësh banimin

dhe larg nga vesa që bie prej qiellit.

40 Do të jetosh nga shpata jote

dhe do t’i shërbesh vëllait tënd.

Por do të vijë koha kur të ngrihesh

do ta heqësh zgjedhën e tij nga qafa jote”.

41 Ezau e urrente Jakobin për shkak të bekimit të cilin ia dha i ati. Tha në zemrën e vet: “Po afrohet koha e zisë për tim atë, atëherë do ta vras tim vëlla, Jakobin”.

42 Rebeka qe vënë në dijeni rreth synimeve të Ezaut, djalit të saj të madh. Ajo çoi dhe e thirri Jakobin, djalin e vet të voglin dhe i tha: “Ja, Ezau, vëllai yt, kërcënohet se do të të vrasë.

43 Prandaj, biri im, më dëgjo: çohu dhe ik te Labani, im vëlla, në Karran.

44 Rri me të për ca ditë derisa t'i pushojë zemërimi vëllait tënd.

45 Kur t’i shkojë hidhërimi e të harrojë çka i bëre, atëherë do të çoj të të marr prej andej. Përse të mbetem në të njëjtën ditë pa të dy djemtë”?

46

Atëherë Rebeka i tha edhe Izakut: “Më është neveritur edhe jeta ime për shkak të këtyre bijave të Hetit. Nëse edhe Jakobi merr për grua ndonjë prej bijave hetite, siç janë këto, bijat e këtij vendi, s’kam pse të jetoj”.



Fjala e Zotit