< Zan 31 Zan 33 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 32)
32

1 Edhe Jakobi e vazhdoi udhën që kishte marrë dhe i dolën para engjëjt e Hyjit.

2 Kur i pa, tha: “Ky është fushimi i Hyjit”. Dhe atë vend e quajti Mahanaim (d. m. th. Fushim).

3

Atëherë Jakobi dërgoi përpara vetes disa lajmëtarë tek Ezau, vëllai i vet, që ishte në Seir, në krahinën e Edomit.

4 Atyre u urdhëroi: “Kështu thuajini zotërisë tim Ezaut: Jakobi, shërbëtori yt, thotë: Kam qenë në shtegtim te Labani dhe tek ai qëndrova deri tani.

5 Kam lopë e gomarë, bagëti të imëta, shërbëtorë e shërbëtore. Po i dërgoj këta njerëz tek imzoti për të gjetur hir para syve të tu”.

6 Lajmëtarët u kthyen te Jakobi dhe thanë: “Qemë tek Ezau, yt vëlla dhe, ja, po nxiton të të dalë para me katërqind burra”.

7 Jakobi u tremb për së tepërmi dhe prej frikës i ndau njerëzit, që ishin me të, si edhe grigjat, dele, lopë e deve në dy tuba.

8 Mendonte: ‘Nëse vjen Ezau dhe i bie njërës turmë, tjetra do të shpëtojë.’

9 Jakobi u lut: “O Hyj i atit tim, Abrahamit, Hyji i atit tim, Izakut! O Zot! Ti më the: ‘Kthehu në vendin tënd, në atmen tënde dhe do të të bëj mirë!’,

10 jam tepër i vogël për të gjithë atë mëshirë dhe për të tërë atë besënikëri që ia bëre shërbëtorit tënd. Vetëm me një shkop e kalova lumin Jordan e tani po kthehem me dy tufa!

11 Më shpëto prej dorës së tim vëllai, prej dorës së Ezaut, sepse e druaj pa masë; druaj se kur të vijë ai do të mbysë nënë e bij!

12 Ti m’u zotove se do të më bësh mirë dhe se do ta përhapësh farën time porsi rërën e detit, që ka aq shumë sa që s’mund të numërohet”.

13 Jakobi u ndal atë natë në atë vend. Atëherë mori prej atyre që kishte për t’ia dhënë dhuratë Ezaut, vëllait të vet:

14 dyqind dhi, cjep njëzet, dele dyqind, desh njëzet,

15 deve pëlleja me të vegjëlit e tyre tridhjetë, lopë dyzet, mëzetër dhjetë, gomarica njëzet dhe dhjetë zogj gomarësh.

16 Ua dha shërbëtorëve të vet, secilit tubën në vete dhe u tha shërbëtorëve: “Kaloni para meje dhe lini vend prej tufës në tufë”.

17 Të parit i urdhëroi: “Nëse do ta takosh Ezaun, tim vëlla, dhe nëse të pyet: ‘I kujt je?’ dhe ‘Kah po shkon?’ dhe ‘Të kujt janë këto që po i ndjek?’,

18 përgjigju: ‘Të shërbëtorit tënd, Jakobit; është një dhuratë që ia dërgon imzotit, Ezaut. Edhe ai vetë po vjen pas nesh’”.

19 Po kështu i urdhëroi edhe të dytit e të tretit dhe të gjithëve që u grahnin tufave. U tha: “Po këto fjalë thojani Ezaut kur ta takoni,

20 dhe shtoni: Po edhe vetë Jakobi, shërbëtori yt, po vjen pas nesh. Sepse tha: Dëshiroj ta qetësoj me dhurata që po ia dërgoj përpara dhe atëherë do të takohem me të: shpresoj se do të pajtohet me mua”.

21 Dhuratat, pra, u nisën përpara tij, kurse ai u ndal atë natë në zemërimië.

22

Po atë natë Jakobi u çua, i mori dy gratë e veta dhe dy shërbëtoret me njëmbëdhjetë bijtë dhe e kaloi vaun e Jabokut.

23 I mori, pra, dhe i kaloi në atë anë të përroit ata dhe gjithçka ishte e tija,

24 kurse ai mbeti vetëm.

Kur, ja, një njeri po luftonte me të deri në mëngjes!

25 Ky, kur pa se nuk po mund ta mundë, ia preku kërdhokullën, dhe menjëherë i doli gjymtyra e kërdhokullës së Jakobit, ndërsa po rrokej me të.

26 Ai i tha: “Më lësho se zbardhi agimi”! ‑ “Jo, nuk të lëshoj ‑ i tha ky ‑ në qoftë se nuk më jep më parë bekimin”!

27 Ai tha: “Si quhesh për emër”? iu përgjigj: “Jakob”.

28 Atëherë ai i tha: “Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael: sepse luftove me Perëndinë e me njerëz dhe ngadhënjeve”!

29 Jakobi e pyeti: “Ma trego emrin tënd”! U përgjigj: “Përse ma kërkon emrin”? Dhe ia dha bekimin në atë vend.

30 Jakobi e quajti atë vend Fanuel. Tha: “E pashë Perëndinë faqe faqas dhe mbeta gjallë”!

31 Dielli po lindte kur Jakobi e kaloi Fanuelin. Shqeponte për shkak të kërdhokullës.

32 Për këtë arsye izraelitët nuk e hanë dellin që është në gjymtyrën e kërdhokullës as sot e kësaj dite. Arsyeja është pse Ai ia preku Jakobit glicën e kërdhokullës.



Fjala e Zotit