< Zan 38 Zan 40 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 39)
39

1 Kështu, pra, Jozefi qe sjellë në Egjipt e bleu Putifari, oborrtari i faraonit, kryetari i rojeve, një egjiptian. Putifari e bleu prej ismaelitëve që e kishin sjellë.

2 Zoti ishte me të. Ishte njeri që çkado që vepronte i shkonte mbarë. Banonte në shtëpinë e zotërisë së vet.

3 Zotëria e diktoi krejt mirë se Zoti ishte me të dhe e shihte se çkado që bënte, Zoti e drejtonte në dorën e tij.

4 Jozefi i pëlqeu zotërisë së vet dhe ky e bëri kujdestar të familjes së vet. Dhe, pasi e vuri kujdestar të shtëpisë së vet e, pasi i lëshoi në dorë të tij gjithçka kishte,

5 Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptianit në saje të Jozefit. Bekimi i Zotit ishte në gjithçka që kishte, qoftë në shtëpi, qoftë në ara.

6 I lëshoi gjithçka në dorë Jozefit dhe, sa e kishte atë, s’donte të dijë për kurrgjë, përveç për bukën që hante.

Jozefi ishte i bukur dhe shumë i pashëm.

7

Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin dhe i tha: “Fli me mua”!

8 Ky nuk dëgjoi assesi dhe i tha: “Ti po sheh se imzot më lëshoi gjithçka në dorë, nuk kujdeset për asgjë në shtëpinë e vet,

9 askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë dhe nuk më mohon asgjë përveç teje, që je gruaja e tij. Si mund ta bëj atëherë këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoj kundër Hyjit”?

10 Gruaja për çdo ditë i vihej me fjalë të tilla djaloshit, por ai nuk pranoi të mëkatonte.

11 Por, një ditë, kur Jozefi hyri në shtëpi për të kryer punët e veta e askush nuk ishte aty prej shtëpiakëve,

12 ajo ia kapi kindin e petkut të tij e i tha: “Bjer me mua”! Por, ky, ia la petkun në dorën e saj dhe doli jashtë.

13 Kur gruaja pa se e la petkun në dorën e saj dhe doli jashtë,

14 i thirri njerëzit e shtëpisë së vet dhe u tha: “A po shihni! Na solli në shtëpi një hebre që të luajë me ne! Hyri tek unë për të rënë më mua. Por, kur dëgjoi se unë po bërtas,

15 e lëshoi petkun që ia kapa, e iku jashtë”.

16 Petkun që kishte kapur ia tregoi burrit, kur ai u kthye në shtëpi

17 dhe i tha po ato fjalë: “Tek unë hyri ai shërbëtori hebre që e solle të luajë me mua,

18 por, kur dëgjoi se bërtita, e la petkun që ia kapa, e iku jashtë”.

19 Kur zotëria i dëgjoi këto fjalë të gruas, “Ja, kështu po sillet shërbëtori yt ndaj meje” u hidhërua për së tepërmi

20 dhe e futi Jozefin në burg, aty, ku mbahen të burgosurit e mbretit.

@@@

Jozefi ishte në burg,

21 por edhe aty Zoti ishte me të. Pati mëshirë për të e bëri që kryetarit të burgut t’i pëlqejë.

22 Ky ia lëshoi Jozefit në dorë të gjithë të burgosurit që gjendeshin në burg, dhe, çkado që duhej të bëhej aty, ai e bënte.

23 Kryetari i burgut nuk kujdesej më për asgjë, për ato që Jozefi kishte në dorë: vërtet Zoti ishte me të dhe ai i drejtonte të gjitha veprat e tija.



Fjala e Zotit