< Zan 39 Zan 41 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 40)
40

1 Ndërkaq, pas këtyre ngjarjeve, ndodhi që kuptari dhe furrtari i mbretit të Egjiptit të gabojnë kundër zotërisë së vet.

2 Faraoni i hidhëruar ndaj dy oborrtarëve: kryetarit të kuptarëve dhe të furrtarëve,

3 i hodhi në burgun e kryetarit të rojeve, ku ishte në burg edhe Jozefi.

4 Kryetari i rojeve ia dorëzoi Jozefit që t’i kishte nën kujdes. Kështu ata mbetën për do kohë në burg.

5 Po të njëjtën natë të dy panë nga një ëndërr, e secila kishte vështrimin e vet.

6 Kur Jozefi hyri tek ata në mëngjes dhe, kur i pa të trishtuar,

7 i pyeti : “Përse sot jeni më të trishtuar se zakonisht”?

8 Ata përgjigjën: “Pamë ëndërr e nuk ka kush të na e shtjellojë”. Jozefi u tha: “Po a nuk e ka Hyji në pushtet t’i shtjellojë ëndrrat? Më tregoni çfarë keni parë”?

9 Kryetari i kuptarëve e tregoi ëndrrën e vet: “Shihja përbri hardhinë,

10 në të cilën ishin tre shermende. Dhe posa filloi të bulojë, qiti lule dhe greca dhe kokrrat u poqën.

11 Kisha në dorë gotën e faraonit. I mora, pra, vilet e rrushit dhe i shtrydha në gotën që e kisha në dorë dhe i dhashë ta pijë faraoni”.

12 Jozefi iu përgjigj: “Endrra ka këtë kuptim: tre shermendet, janë tri ditë,

13 pas të cilave faraoni do të të falë dhe do të kthejë në shkallën që kishe më parë. Prapë do t’ia japësh gotën sipas detyrës sate, siç e ke pasur zakon edhe më parë.

14 Por, veç, kur të jesh mirë, të bie ndërmend për mua, ki dhimbje për mua dhe thuaj faraonit të më nxjerrë prej burgut,

15 sepse me dredhi e dhunë më qitën prej dheut të hebrenjve, po edhe këtu të pafajshëm më hodhën në burg.

16 Kur pa kryetari i furrtarëve se ëndrrës i dha një shtjellim të mirë, tha: “Po edhe unë pashë ëndërr: mbi kokë kisha tri shporta buke.

17 Në shportën e sipërme, bartja gjithfarë ushqimesh që gatuhen me mjeshtrinë e furrtarisë, por shpendët i hanin. .

18 Jozefi u përgjigj: “Ja, kuptimi i ëndrrës: tri shportat janë edhe tri ditë.

19 Pas tri ditëve, faraoni do ta këputë kokën varë në dru dhe mishin tënd do ta hanë shpendët”.

20 Dhe, përnjëmend, të tretën ditë faraoni bëri gosti të madhe për të gjithë shërbëtorët e vet ‑ kishte ditëlindjen ‑ mes shërbëtorëve të vet ndau kryetarin e kuptarëve dhe atë të furrtarëve.

21 Kryetarin e kuptarëve e ktheu në detyrën e vet, që t’i japë edhe më tej kupën në dorë,

22 kurse kryemjeshtrin e furrtarëve e vari në dru siç ia kishte shtjelluar Jozefi.

23 Mirëpo, kryetari i kuptarëve e harroi Jozefin dhe nuk i ra ndër mend për shtjelluesin e vet.



Fjala e Zotit