< Zan 43 Zan 45 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 44)
44

1 E Jozefi i urdhëroi kujdestarit të shtëpisë së vet: “Mbushi thasët e tyre me drithë sa të zënë. Paratë e secili futi në grykë të thesit.

2 Kupën time të argjendtë dhe çmimin që ta dha të drithit, futi në grykën e thesit të më të riut”. Ashtu edhe u bë.

3 Kur zbardhi drita, i nisën për rrugë me gomarët e tyre.

4 Posa kishin kaluar qytetin e ishin larguar paksa, atëherë Jozefi thirri kujdestarin e shtëpisë dhe i tha: “Çohu dhe ndiqi ata njerëz! Kur t’i kesh zënë, thuaju: ‘Përse e kthyet të mirën me të keqe? Përse ma vodhët kupën e argjendtë?

5 A nuk e dini se me të pi imzoti dhe me anë të saj parasheh të ardhmen? Bëtë s’ka si më zi”!

6 Bëri po ashtu si i qe urdhëruar e, kur i zuri, ua tha copë këto fjalë.

7 Ata përgjigjën: “Përse po flet kështu, zotëria ynë? Qoftë larg prej shërbëtorëve të tu, se e kemi bërë një punë aq të ligë!

8 Deri edhe paratë që i gjetëm në grykën e thasëve i kemi sjellë prej dheut të Kanaanit, e si atëherë mundi të ndodhë se zotërisë tënd i kemi vjedhur prej shtëpie ar dhe argjend?

9 Te cilido ndër shërbëtorët e tu të gjendet çka po kërkon ti, le të vritet, kurse ne do te jemi skllevërit e tu”!

10 Ai u tha: “Le të bëhet siç vendosët ju vetë! Te cilido që të gjendet, ai do të jetë skllavi im, kurse ju të tjerët do te jeni të lirë”!

11 Secili nxitoi t’i shkarkojë thasët e vet e t’ua hapë grykën.

12 Pasi i kontrolloi duke filluar prej më të madhit e deri te më i vogli, kupën e gjeti në thesin e Beniaminit.

13 Atëherë ata, i shqyen petkat e veta, i ngarkuan përsëri gomarët dhe u kthyen në qytet.

14 Juda bashkë me vëllezër hyri te Jozefi ‑ ende nuk kishte dalë prej shtëpisë ‑ dhe të gjithë së bashku ranë me fytyrë për dhe para tij.

15 Ai u tha: “Pse, ore, bëtë një vepër asisoji? Po a nuk e dini se s’ka njeri si unë që ma shkon në të zbuluarit e fshehtësisë”?

16 Juda iu përgjigj: “Çka t’i përgjigjim zotërisë sonë? Po çka t’i themi e si të gjejmë fjalë për shfajësim? Vetë Zoti e zbuloi fajin e shërbëtorëve të tu! Ja, pra, të gjithë jemi skllevërit e zotërisë sate! Ne dhe ai tek i cili u gjet kupa”.

17 Jozefi u përgjigj: “Prite Zot! Jo, unë nuk veproj ashtu! Ai që e vodhi kupën time, ai le të jetë skllavi im! Ju të tjerët shkoni lirisht te baba juaj”!

18

Juda iu afrua më fort, mori guxim dhe tha: “Po të lutem, imzot, lejo t’u thotë një fjalë veshëve të tu skllavi yt dhe, deh, mos iu hidhëro shërbëtorit tënd! E di, je si faraoni!

19 Zotëria im i pyeti më parë shërbëtorët e vet: ‘A e keni babain ose ndonjë vëlla tjetër’?

20 Dhe ne i përgjigjëm zotërisë sonë: ‘E kemi babanë të moshuar që ka një djalë të vogël, i cili lindi në pleqërinë e tij, vëllai i tij prej nëne vdiq. Ai është djali i vetëm prej nënës së tij e babai e do tepër fort’.

21 Ti u the shërbëtorëve të tu: ‘Ma sillni që ta shoh me sy të mi’.

22 I patëm thënë zotërisë tim: ‘Djaloshi s’mund ta lërë babain e vet, sepse po e la, ai do të vdesë’.

23 Ti u the shërbëtorëvë të tu: ‘Po qe se nuk vjen vëllai juaj më i vogël me ju, s’do të guxoni të më dilni më para syve’.

24 Kur u kthyem te shërbëtori yt, babai ynë, i treguam atij gjithçka na tha zotëria ynë

25 dhe babai ynë tha: ‘Kthehuni e na bleni pak drithë’!

26 Ne i thamë: ‘Nuk kemi si të shkojmë. Nëse vjen me ne vëllai i vogël, do te nisemi bashkë, ndryshe, po s’erdhi ai, nuk mund t’i dalim atij njeriu përpara’.

27 Në këto fjalë, shërbëtori yt, im atë u përgjigj: ‘Ju e dini se gruaja ime më lindi dy djem.

28 Njëri treti diku larg meje e thashë: ‘E hëngri egërsira! Deri në ditën e sotme nuk u duk!

29 Nëse ma merrni edhe këtë prej pranisë sime e në qoftë se i ndodh ndonjë e keqe në udhëtim, kokën time të thinjur do ta përcillni me mjerim në nëndhe’.

30 Prandaj, nëse do të hyjë shërbëtori yt tek im atë e, nëse s’do të jetë djaloshi me mua ‑ pasi jeta e tij varet nga jeta e këtij ‑

31 dhe të shohë se ai nuk është me ne, do të vdesë. Kështu shërbëtorët e tu do ta çojnë kokën e tij të thinjur në nëndhe.

32 Pastaj shërbëtori yt iu përbe t’et për djalin: Në qoftë se nuk do ta kthej, do të jem fajtor para tim eti, derisa të jem gjallë.

33 Prandaj, do të jem skllavi yt në vend të vëllait tim dhe do t’i shërbej zotërisë sim, kurse djali të kthehet me vellezërit e tij.

34 Sepse s’kam se si të kthehem tek im atë, po qe se s’është djaloshi me mua, që të mos jem pranë të keqes së mjerueshme që do ta ndrydhë tim atë”.



Fjala e Zotit