1 Hyji e bekoi Noehin dhe bijtë e tij e u tha: “Jini të pëlleshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.
2 Jini tmerr dhe frikë për të gjitha gjallesat e tokës, për të gjithë shpendët e qiellit dhe për të gjitha kafshët e gjalla që lëvizin përmbi tokë; të gjithë peshqit e detit janë në duart tuaja.
3 Gjithçka që lëviz dhe gjallon do ta keni për ushqim: jua jap të gjitha këto siç ju pata dhënë të gjitha perimet e blerta.
4 Vetëm mos e hani mishin me shpirt që është në gjak.
5 Unë do të kërkoj llogari për gjakun e jetës suaj. Do të kërkoj llogari prej të gjitha kafshëve; do të kërkoj llogari prej njeriut për jetën e njeriut, prej secilit gjakun e vëllait të vet.
6 Kush derdh gjakun e njeriut,
gjaku i tij të derdhet prej njeriut,
sepse në përfytyrimin e Hyjit
Hyji e krijoi njeriun.
7 Jini të pëlleshëm dhe shumohuni,
mbusheni tokën dhe sundojeni”!
8 Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij:
9 “Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj, pas jush
10 e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju ‑ me mbarë, gjallesat e tokës.
11 Unë po lidh besëlidhjen time me ju: nuk do të sharoset më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën”.
12 Dhe Hyji tha:
“Kjo është shenja e besëlidhjes
që unë po e bëj
ndërmjet meje e juve
dhe me çdo gjallesë
që është me ju
për të gjitha breznitë e ardhshme;
13 Ylberin tim do ta vë në re
dhe do të jetë shenja e besëlidhjes
ndërmjet meje dhe tokës.
14 Kur me re ta mbuloj qiellin,
në re do të duket ylberi im,
15 do të më kujtohet besëlidhja ime me ju
e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë,
ujë përmbytjeje më s’do të ketë
për të zhdukur mbarë frymorët.
16 Ylberi do të duket në re,
atë unë do ta shikoj
dhe do të më kujtohet besëlidhja e përhershme
që u lidh mes Hyjit e çdo gjëje të gjallë,
të mbarë gjallesave që janë përmbi tokë”.
17 Hyji i tha Noehit: “Kjo do të jetë shenja e besëlidhjes që e bëra ndërmjet meje e çdo gjallese përmbi tokë”.
18 Bijtë e Noehit që dolën nga arka ishin: Semi, Kami e Jafeti.
Kami është trungu i Kanaanit.
19 Këta tre janë bijtë e Noehit. Prej tyre u përhap tërë gjinia njerëzore mbi mbarë tokën.
20 Noehi që ishte bujk, nisi të mbjellë një vreshtë.
21 Pasi piu verë, u deh dhe u zdesh në çadrën e vet.
22 Kur Kami i ati i Kanaanit e pa d. m. th. të atin ashtu lakuriq, lajmëroi dy vëllezërit e tij që ishin jashtë.
23 Atëherë Semi e Jafeti morën mallotën, e vunë në krah, e duke ecur prapazi, mbuluan lakuriqësinë e atit të tyre duke mos e shikuar babain lakuriq.
24 Noehi, kur e lëshoi pija e, si e mori vesh çka i kishte bërë i biri i vogël,
25 tha:
“Qoftë mallkuar Kanaani:
Skllav, bir skllavi qoftë për vëllezërit e vet”!
26 E shtoi:
“Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Semit!
Kanaani qoftë skllavi i tij!
27 Hyji e zgjeroftë Jafetin!
Banoftë në tendat e Semit
e Kanaani qoftë skllavi i tij”!
28 Noehi jetoi pas përmbytjes edhe treqind e pesëdhjetë vjet.
29 Jetoi gjithsej nëntëqind e pesëdhjetë vjet e atëherë vdiq.